Gjyqtarja e Apelit të Tiranës, Fatmira Hajdari do të përballet me 15 qershor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Procesi i vetingut për Hajdarin do kryhet nga Roland Ilia, Firdes Shuli dhe Etleda Çiftja.
Fatmira Hajdari e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitet 2000 si gjyqtare e Gjykatës së Tiranës. Në korrik 2013, Hajdari u dekretua nga Presidenti gjyqtare në Gjykatën e Apelit të Tiranës, funksion të cilin e mban edhe aktualisht.
Në deklaratën e dorëzuar në vitin 2003 gjyqtarja Hajdari deklaronte pasuri me vlerë prej 2.7 milionë lekëshndërkohë që në 2017 pasuria familjare u rrit me 18 herë, duke kapur vlerën e 49.3 milionë lekësh.
Pasuria e paluajtshme përbën vlerën 31.4 milionë lekë, ndërkohë që subjekti deklaron edhe 15.1 milionë lekë likujditete bankare, 2.4 milionë lekë pasuri të luajtshme dhe kursime në leke prej 300 mijë lekësh.
Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 95 milionë lekë. Pjesa kryesore e të ardhurave buron nga shitja e pasurive të patundshme në masën 31%, e ndjekur nga të ardhurat nga biznesi në masën 24% dhe të ardhurat nga qiradhënia 12%. Paga nga funksioni i gjyqtares zë 14% në totalin e të ardhurave, ndërsa pagat e fëmijëve 7%.
Fatmira Hajdari rezulton me pasuri të pajustifikuar nga burimet e deklaruara në 5 vite të deklarimit në një shumë prej 12.5 milionë lekësh.
Në deklaratat e pasurisë rezultojnë gabime të shpeshta, ku vlerat e shënuara me numra nuk përkojnë me vlerat e shënuara me fjalë, duke krijuar shpesh paqartësi për vlerat e aseteve, kredive bankare apo shpenzimeve familjare.
Gjithashtu, Znj. Hajdari deklaron kredi bankare ndër vite prej 30 milionë lekësh, mes së cilës edhe një kredi të marrë nga i biri në vitin 2007 në vlerën e 19 milionë lekëve e cila gjithashtu deklarohet herë me lekë të vjetra dhe herë me lekë të reja. Nuk është gjithashtu e qartë nëse këto detyrime lidhen me biznesin e të birit apo kanë shërbyer për të financuar pasuritë e familjes.
Në vitin 2013, djali ka lidhur një marrëveshje sipas së cilës në këmbim të truallit prej 890m2 do të ndërtohet një objekt 10-katësh, ku të dyja palët përfitojnë nga 50%. Në vitin 2016, Hajdari deklaron se pjesa e tyre e investimit përveç truallit është edhe 204 mijë euro pa shpjeguar burimin e këtyre parave dhe kohën e investimit.