Ky Nikolini qenka i papare! Pasi ka marrë qindra miliona lekë në shumë tendera, i buzëqesh fati përsëri! Mësohet se xhepat e tij do të fryhen sërish me jo pak por me rreth 975 milionë lekë të vjetra pa TVSH.
Zotëria në fjalë ka fituar këtë llokmë gjigande vetëm për të gatuar dhe shpërndarë ushqimin e të sëmurëve të shkretë që i zë fati i zi të shtrohen në Spitalin e Vlorës.
Ky tender ka kaluar pa u vënë re pikërisht gjatë ditëve të para të karantinës , në një kohë kur askush nuk e kishte mendjen për gjë tjetër veçse si të ruhej nga virusi. Kështu fituesi është shpallur pikërisht në datë 12.03.2020. Gjeniale apo jo?
Kompania fituese e këtij tenderi është “SORI-AL” SH.P.K. me administrator Alma Tafani, përkatësisht ish-bashkëshorte e Nikolin Jakës.
Kjo kompani me seli në Tiranë, do të marrë për 4 vjet shumën e pabesueshme prej 975 milionë lekësh të vjetra vetëm për të gatuar dhe shpërndarë ushqimin në Spitalin e Vlorës! Madje jo vetëm kaq, por mësohet se stafi i kuzhinierëve që punonte prej vitesh në këtë spitali është pushuar nga puna që Nikolini të gatuajë në vend të tyre…
Nëse shikohen të dhënat e tenderit mëson se disa kompani kishin dhënë oferta shumë më të ulëta por çuditërisht u skualifikuan dhe fitues doli Nikolini.
Por ka ende. Nëse bëjmë një kërkim në të dhënat publike, shihet se kompania “SORI-AL” SH.P.K. ka futur në xhep plot 17 milionë euro nga taksat e shqiptarëve për periudhën kohore 2014-2020!