Presidenti Ilir Meta gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit ka kërkuar nga palët politike në vend, përqendrim dhe angazhim total në synimin më madhor, integrimin e vendit në BE, duke kërkuar dialog dhe bashkëpunim.
Jemi të gjithë të paralajmëruar nga metodologjia e re e Bashkimit Europian, që thekson se aty ku përparimi nuk është i vërtetë do të ketë ndëshkim, deri në kthim prapa të procesit të integrimit dhe arritjeve të deritanishme. Besoj se jemi ende në kohë për të reflektuar, duke nisur me heqjen dorë nga politika e vendosjes përpara faktit të kryer, e cila e minon dialogun, bashkëpunimin dhe besimin ndërmjet palëve. Dialog nuk do të thotë vetëm të flasësh por edhe të dëgjosh. Bashkëpunim nuk do të thotë vetëm të marrësh por edhe të ofrosh.